Periodontologjia

PERIODONTOLOGJIA

Sëmundja periodontale është infeksion i indeve të cilat e forcojnë dhëmbin në nofullat e njeriut. Gingiva nuk është e ngjitur plotësisht ashtu siç duket. Ekziston një hapsirë në formë të shkronjës V në mes qafës së dhëmbit dhe gingivës. Sëmundja periodontale sulmon pjesën e hapsirës së lartëpërmendur , ku shkakton dëmtimin e aparatit mbajtës të dhëmbit. Kur vjen deri te dëmtimi i indeve, kjo hapsirë apo sulkusi shëndrrohet në xhep. Në përgjithësi, sa më e rëndë të jetë sëmundja aq më i thellë është xhepi!

Sëmundja periodontale është klasifikuar në bazë të ashpërsisë së sëmundjes. Dy faza të rëndësishme të sëmundjes janë gingiviti dhe periodontiti. Gingiviti paraqet formën e lehtë dhe reverzibile të sëmundjes periodontale e cila atakon vetëm pjesën gingivale. Gingiviti mund të shpie drejt formës më të ashpër shkatërruese të sëmundjes periodontale e cila quhet periodontit.

Janë disa faktorë që rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjes periodontale:
  • Pirja e duhanit
  • Higjiena e dobët orale, brushimi i gabuar i dhëmbëve, mos përdorimi i perit interdental
  • Konsumimi i tepërt i alkoolit dhe drogës
  • Përdorimi i zbardhuesve të fytyrës me bazë të zhivës (akllëku)

 

Sëmundje sistemike:

  • Diabeti, hipertireoza, llupus-i, pemfigusi, sëmundja e Addison-it, sëmundjet malinje etj.

 

Barërat të cilat nxisin shfaqjen e paradontopatisë:

  • Steroidet, disa lloje të barërave antiepileptik, kemoterapeutikët antikancer, disa bllokatorë të kanaleve të kalciumit (antihipertenzivët), kontraceptivët oral etj.
Shkaktarët tjerë:
  • Urat protetike të cilat nuk përshtaten mirë me dhëmbët bartës
  • Dhëmbët e thyer ose me çarje vertikale
  • Hipovitaminoza
  • Mbushjet të cilat janë me defekte në pjesën gingivale të dhëmbit
  • Shtatëzënia etj.

 

Disa shenja alarmante të cilat mund të sinjalizojnë problemin:

  • Gingiva e cila lehtë gjakosë
  • Gingiva e skuqur, e tensionuar apo e ënjtur
  • Erë e keqe e gojës apo ndryshim i shijes për një periudhë më të gjatë kohore
  • Dhëmbët e përhershëm të cilët janë të lëvizshëm ose me pozitë të ndryshuar
  • Çfarëdo ndryshimi në mënyrën e kafshimit gjatë ngrënies
  • Çfarëdo ndryshimi në pozitën dhe funksionin e protezave parciale

Është e mundur të ekziston sëmundja periodontale por mos ti keni shenjat e lartëpërmendura. Ky është njëri ndër shkaqet përse duhet të bëhen kontrolle të rregullta stomatologjike dhe sa i rëndësishëm është ekzaminimi periodontal. Metodat e trajtimit varen nga faza e zhvillimit të sëmundjes dhe sa ka përparuar sëmundja. Pastrimi i rregullt i kombinuar me pastrimin e thellë dhe terapinë e gingivës me antibiotikun Tetraciklin mund të jetë i nevojshëm. Udhëzimet e dhëna për vazhdimin e përkujdesjes në shtëpi janë esenciale për mirëmbajtjen e higjienës dhe parandalimin e rishfaqjes së periodontitit. Nuk duhet ti humbni dhëmbët për shkak të sëmundjes periodontale. Brushimi i kujdesshëm, pastrimi në mes dhëmbëve tuaj, dieta e balancuar dhe vizitat e rregullta tek dentisti mundësojnë buzëqeshje të shëndetshme.